
Kryeministri Albin Kurti ka kritikuar qeverisjen lokale në Skenderaj, duke e cilësuar si të paaftë dhe të përqendruar në pasurim personal, ndërsa ka prezantuar kandidatin e Vetëvendosjes, Hysni Mehanin, si alternativë të ndershme e vizionare për qytetin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pushteti aktual në Skenderaj “nuk ka as program e as ide”, duke e akuzuar për krijim të pabarazive dhe devijim nga sakrifica e dëshmorëve dhe kontribuesve për çlirimin e vendit.
“Në Skenderaj pushteti aktual nuk ka as program e as ide. Pabarazitë në Skenderaj, me multi-milionerin ish-komandant i cili kënaqet kur i frikësohen njerëzit, janë devijim nga sakrifica e madhe e dëshmorëve, martirëve dhe të gjithë kontribuesve për çlirim të Kosovës, liri të popullit dhe shtet të pavarur,” tha Kurti.
Ai theksoi se funksionet publike janë për shërbim me përkushtim dhe jo për pasurim me sundim, duke prezantuar kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Skenderajt, Hysni Mehani, si një njeri të ndershëm, modest dhe të përkushtuar.
“Ne e kemi Hysni Mehanin, aktivist të devotshëm e asamblist tejet aktiv, të dijshëm, modest e trim, që nuk ndan e nuk përçan, por afron e bashkon. Ai është mundësia e juaj dhe garancia jonë që nevojat e qytetarëve plotësohen, ndërsa vizioni dhe projektet për Skenderaj jetësohen,” deklaroi Kurti.
Kryeministri shtoi se me Mehanin në krye, pas 12 tetorit, do të realizohen projekte të rëndësishme për qytetin, përfshirë zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm, ndërtimin e çerdheve të reja, krijimin e ngrohtores së qytetit, trafikun publik, pishinën gjysmë-olimpike, parqe për fëmijë dhe parkun teknologjik inovativ. Ai gjithashtu paralajmëroi zvogëlim të numrit të drejtorive komunale për të orientuar më shumë buxhet në investime kapitale.



