
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe pranë varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi, te varrezat e dëshmorëve dhe te monumenti i komandantit Zahir Pajaziti, në kuadër të shënimit të 12 Qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Pas homazheve në Prekaz, delegacioni shtetëror vazhdoi nderimet në Prishtinë.
Albulena Haxhiu tha se liria e Kosovës erdhi përmes rrugëve të ndryshme, por me të njëjtin qëllim.
“Liria e Kosovës nuk erdhi nga një rrugë e vetme. Erdhi nga urtësia dhe këmbëngulja politike e presidentit Rugova, nga ndërgjegjja e patundur e Adem Demaçit dhe nga trimëria e Zahir Pajazitit”, u shpreh ajo.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti vlerësoi rolin e aksioneve guerile dhe të luftës çlirimtare në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Aksionet guerile para luftës, sikurse ato të komandantit Zahir Pajaziti, dhe ngjarjet historike si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë bërë udhën e çlirimit të pakthyeshme”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e faktorëve të brendshëm në procesin e çlirimit të vendit dhe kujtoi sakrificën e dëshmorëve e martirëve të kombit.



