Kurti në hapje të fushatës për balotazh: Nuk ka investime për ata që “nuk dinë të punojnë dhe që vjedhin”

Kryeministri Albin Kurti, gjatë nisjes së fushatës për balotazhin e zgjedhjeve lokale, theksoi se fondet qeveritare prej 1 miliard euro për komunat do të ndahen vetëm për udhëheqës që, sipas tij, “punojnë mirë dhe nuk abuzojnë me paranë publike”.

Në hapjen e fushatës për balotazh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke lidhur drejtpërdrejt investimet qeveritare me performancën e komunave që do të drejtohen pas zgjedhjeve.

Duke folur për planin qeveritar prej 1 miliard euro për investime në komunat e vendit, Kurti theksoi se këto mjete “nuk do të ndahen për të gjithë njësoj”, por do të orientohen vetëm aty “ku dinë të punojnë dhe nuk vjedhin”.

“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajmë fjalën — 1 miliard euro investime për komunat — por ju e dini, unë nuk jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk e duan punën, as ata që dinë e duan të vjedhin. Me ata nuk ka investime e zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës,” deklaroi Kurti në fjalimin e tij.

Këto deklarata kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinionin publik, me disa që i kanë cilësuar si thirrje për përgjegjësi dhe menaxhim të mirë të fondeve publike, ndërsa të tjerë i kanë interpretuar si presion politik ndaj votuesve për të mbështetur kandidatët e Vetëvendosjes në balotazh.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se gjatë vitit të ardhshëm do të nisë zbatimin e një programi të gjerë investimesh kapitale për zhvillimin lokal, ndërsa opozita kërkon që ndarja e buxhetit të bëhet në mënyrë të barabartë për të gjitha komunat, pavarësisht përkatësisë politike të kryetarëve të tyre.

Back to top button