Kurti: Në më pak se pesë vjet e rritëm pagën minimale nga 130 në 500 euro

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh bruto, duke theksuar se gjatë qeverisjes së tij ajo është rritur katër herë dhe është trefishuar krahasuar me nivelin që kishte për më shumë se një dekadë.

Kurti tha se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar që nga viti 2011, kur ishte caktuar në 130 euro për punëtorët nën moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.

banner

“Paga minimale në vendin tonë ngeli e pandryshuar për më shumë se 10 vjet. 2011 ishte viti i fundit kur ajo u ndryshua. Që prej atëherë ajo mbeti 130 përkatësisht 170 euro”, shkroi Kurti.

Ai theksoi se gjatë qeverisjes së tij paga minimale është rritur nga 130 dhe 170 euro në 250 euro, më pas në 350, në 425 dhe nga sot në 500 euro.

“Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, rritja e pagës minimale është dëshmi se zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Për më shumë se një dekadë para qeverisjes sonë paga minimale ishte e ultë dhe e pandryshueshme. Ndërkaq, për më pak se gjysmë dekade me ne, kemi trefishim të pagës minimale. Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë”, deklaroi Kurti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.