
Osmani anulon pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich, ndërsa kryeministri paralajmëron kontakte me partitë për çështjen e kreut të shtetit.
Afati për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit ka filluar të rrjedhë, ndërsa Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur ambicien për një mandat të dytë. Në këtë sfond, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar nisjen e negociatave me partitë politike për çështjen e presidentit.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, Kurti tha se pas konstituimit të Kuvendit dhe ekzekutivit, hapi i radhës është votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilin e paraqiti si parakusht për nisjen e bisedimeve.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe qeverisë mbrëmë, jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, deklaroi Kurti.
Deklarata e tij erdhi vetëm pak minuta pasi Presidenca njoftoi se Presidentja Osmani ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munich, ku pritet të marrë pjesë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, tha për Reporteri.net se anulimi është bërë për shkak të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve të brendshme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është ftuar edhe sivjet në Konferencën e Sigurisë në Munich, për çka është shumë mirënjohëse ndaj organizatorëve. Megjithatë, për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, deklaroi Kupina.
Ndërkohë, Kurti pritet të marrë pjesë në këtë konferencë, së bashku me Shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajetin.
Mbetet e paqartë nëse emri i Osmanit do të propozohet nga Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend. Për t’u zgjedhur president, një kandidat duhet të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para nuk sigurohen 80 vota, në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Të hënën, Osmani ka zhvilluar takime me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas njoftimeve, në këto takime është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, por nuk është bërë e ditur nëse është trajtuar konkretisht çështja e presidentit.
Nga LDK, deputeti Avdullah Hoti ka deklaruar se nuk do ta votojë Osmanin në rast se ajo propozohet nga Vetëvendosje.
“Jo, sepse historiku i pesë viteve të fundit besoj që mu personalisht më ka dhënë të drejtë për qëndrimin që kam pas në 2021-ën. S’i kemi bërë shërbimin më të mirë vendit. Tash i shoh kolegët e mi që e kanë qëndrimin që unë e kam për zonjën Osmani”, ka deklaruar Hoti.



