
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk është përgjigjur kur është pyetur lidhur me mundësinë e një koalicioni mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Urime Dita e shërbimit publik sot”, ka thënë ai teksa ka shkuar në aktivitetin për shënimit të 23 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, të organizuar nga Ministria e Digjitalizimit.
Të enjten Kurti në një video të postuar në Facebook ka deklaruar se për ta zgjedhur presidentin e ri, partitë opozitare duhet të ndryshojnë sjelljen, siç e ka quajtur ai, refuzuese.
Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, ka thënë pas përurimit të një rruge të martën se, do të përpiqet të sigurojë bashkëpunim me opozitën.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit. Bazuar në rezultatin e deritashëm, ajo ka siguruar 53 ulëse në Kuvend.
Eksponentë të kësaj partie kanë thënë se rezultati ua mundëson ta formojnë vetë Qeverinë, vetëm me deputetët e komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe.
KOHA ka kërkuar nga partitë oponente të Vetëvendosjes, qëndrim nëse do të pranojnë bashkëpunim për formimin e Qeverisë, nëse do t’iu bëhej ftesë, por nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë më parë se partia e tij është e hapur për bisedime me të gjitha subjektet politike, pa përjashtuar as Vetëvendosjen. Sipas tij, çfarëdo marrëveshje koalicioni, duhet t’i përfshijë të gjitha pozitat shtetërore./Koha



