Kurti takohet me Kryeministrin britanik Starmer

Kryeministri në detyrë i Kosovës vlerësoi rolin e Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

Pas përfundimit të sesioneve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që u mbajt në Londër, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.

Sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti shprehu vlerësim të lartë për udhëheqjen britanike dhe organizimin e samitit, duke theksuar rëndësinë e rolit të Mbretërisë së Bashkuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe paqes.

Gjatë takimit, dy kryeministrat diskutuan temat kryesore të samitit, përfshirë sigurinë, rritjen ekonomike dhe migracionin, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët si energjia, infrastruktura, edukimi, mbrojtja dhe siguria.

Kurti veçoi fushën e mbrojtjes si prioritet të qeverisë, duke theksuar se Kosova po vazhdon investimet për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmirësimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Ai falënderoi gjithashtu Mbretërinë e Bashkuar për vendimin që Forcat e Armatosura britanike të vazhdojnë mbështetjen për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të paktën tre vjet të tjerë.

Back to top button