
Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar 24 majin e vitit 1992, ditën kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë.
Sipas LDK-së, kjo datë shënon një nga momentet më të rëndësishme të fillimit të demokracisë në Kosovë.
“Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale ishin pikënisje dhe zanafilla e rrugës së gjatë për liri, pavarësi e demokraci”, thuhet në reagim.
LDK vlerësoi se historik ishte edhe zgjedhja e Ibrahim Rugovës president.
“Ai u bë udhërrëfyes, misionar e prijës shpirtëror i mbarë popullit në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci”, deklaron LDK.
Në reagim theksohet se figura e Rugovës mbetet e pazëvendësueshme në historinë e Kosovës.
“Populli i Kosovës sot feston 24 majin si Ditën e Presidentit, duke nderuar veprën historike të atit themeltar të shtetësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova”, thuhet mes tjerash në reagim.



