
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e mërgatës, pas rezultateve që e renditën LDK-në të parën me 30,25% të votave nga jashtë vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit, duke theksuar se partia e tij ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga mërgata.
Sipas tij, me 30,25% të votave nga votuesit jashtë vendit, LDK është renditur e para, gjë që ai e cilësoi si dëshmi të lidhjes së fortë që partia ruan me diasporën.
“Ju kujtohet zhurma e madhe para disa muajve rreth mbështetjes për LDK-në nga mërgata? Ja ku jemi sërish, tetë muaj pas — mërgata foli prapë dhe foli qartë! LDK del e para me votat nga jashtë! Plot 30,25%, nga gati 30 mijë votues nga jashtë, i kanë dhënë mbështetje LDK-së; duke rikonfirmuar edhe një herë se puna e vazhdueshme dhe lidhja e drejtë që kemi mbysin secilën zhurmë”, tha Abdixhiku.
Ai u shpreh mirënjohës ndaj 8,093 votuesve që i dhanë besimin LDK-së, duke e quajtur këtë rezultatin më të mirë lokal që partia ka marrë nga mërgata që nga shpallja e pavarësisë.
“Ky rezultat është dëshmi e besimit të madh që mërgimtarët tanë kanë ndaj vlerave, vizionit dhe politikës sonë të përgjegjshme. Është tregues se besimi mbyt zhurmën, ideali e zhbën propagandën, e Lidhja i qëndron kohës. Le të vazhdojmë!”, përfundoi ai.



