
Besnik Osmani thotë marrëveshja është hap drejt qeverisjes moderne, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Fushë Kosovës, Besnik Osmani, ka bërë të ditur se është arritur koalicioni i madh ndërmjet LDK-së dhe Partisë Demokratike të Kosovës, një bashkëpunim që si synim kryesor ka përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e mëtejmë të komunës.
Osmani u shpreh se dy subjektet politike i kanë thënë PO zhvillimit, mirëqenies dhe përparimit, duke u zotuar se do të ecin së bashku për interesin e përbashkët të qytetarëve të Fushë Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit, dy degët partiake kanë punuar ngushtë në hartimin e planit qeverisës, duke koordinuar gjithçka edhe me nivelet qendrore të partive. Si rezultat, është nënshkruar marrëveshja për qeverisje gjithëpërfshirëse në mandatin e ardhshëm.
Sipas Osmanit, kjo marrëveshje është shprehje e përgjegjësisë politike dhe vullnetit të përbashkët për të siguruar një qeverisje moderne e transparente, e cila do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve të Fushë Kosovës.



