
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka publikuar vendimet e miratuara në Kuvendin e mbajtur më 30 korrik, ku Lumir Abdixhiku mori besimin e shumicës së delegatëve për të vazhduar në krye të partisë.
Në deklaratën e miratuar nga Kuvendi, LDK përcakton si orientim parësor angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Po ashtu, dokumenti obligon kryetarin e LDK-së, Kryesinë, Këshillin e Përgjithshëm dhe Grupin Parlamentar që, në kuadër të kompetencave të tyre statutare, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij orientimi.
Në pjesën që trajton respektimin e vendimeve të shumicës, Kuvendi thekson se të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e organeve kompetente të partisë.
Dokumenti saktëson gjithashtu se, pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kundërshtimi publik i vendimeve legjitime të shumicës apo pengimi i zbatimit të tyre përbën cenim të unitetit institucional dhe të rregullit partiak.
Sipas vendimit, organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtyre vendimeve dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masa statutare ndaj shkelësve.



