
Në Koridorin e Kujtesës, Ukë Bytyçi kujtohet si simbol i qëndresës dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
Sot, në 23-vjetorin e vrasjes së Ukë Bytyçit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me zonjën Kimete, fëmijët Shqipen e Flamurin dhe bashkëveprimtarë politik, shpalosën pllakën përkujtimore të tij në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ukë Bytyçi është vendosur aty ku e meriton, pranë bashkëveprimtarëve të mëdhenj të kauzës kombëtare: Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Shaban Manaj, Ismet Rrahmani e Nekibe Kelmendi – në të ashtuquajturin “Koridor i Kujtesës”.
Jeta e tij tregon një brez që e deshi Kosovën me punë, guxim dhe përkushtim të pashoq. Nga demonstratat e vitit 1981, në themelimin e LDK-së, organizimin e rezistencës, luftën për liri në Zonën Operative të Pashtrikut dhe drejtimin e Suharekës si kryetar komune, Ukë Bytyçi mbetet shembull i njeriut që jetoi për idealin e lirisë dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Ai u vra më 27 tetor 2002, vetëm një ditë pas fitores së tij të dytë zgjedhore, por idealet e tij nuk u shuan kurrë. Sot, LDK-ja e nderon dhe e kujton me mirënjohje të thellë, duke e konsideruar një prej bijve më të denjë dhe simbol të qëndresës dhe dashurisë për Kosovën.



