Lëvizja VETËVENDOSJE! në mbështetje të protestuesve në Tiranë: Drejtësia është në anën e UÇK-së

VETËVENDOSJE! riafirmon qëndrimin e saj të pandryshuar ndaj Gjykatës Speciale, duke theksuar se UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë dhe se drejtësia e vërtetë duhet të kërkohet ndaj Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka deklaruar se qëndron fuqishëm në krah të qytetarëve që po protestojnë në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një reagim publik, lëvizja theksoi se qëndrimi i saj për Gjykatën Speciale mbetet i pandryshuar që nga themelimi i saj.

Në deklaratë kujtohet se origjina e kësaj gjykate nuk është e rastësishme, por daton që nga viti 2008, me një rezolutë të propozuar në Këshillin e Evropës nga përfaqësues rusë, e cila më vonë u miratua në vitin 2011 me raportin e senatorit Dick Marty.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe e domosdoshme. Pretendimi i Prokurorisë se brenda UÇK-së ka ekzistuar një grup kriminal është i pasaktë dhe i padrejtë. UÇK-ja nuk ka qenë ndërmarrje kriminale dhe nuk ka pasur struktura të tilla,” thuhet në reagimin e VETËVENDOSJE!-s, duke shtuar se për krime lufte duhet të gjykohet Serbia, si përgjegjëse për gjenocidin dhe krimet masive ndaj popullit të Kosovës.

Lëvizja po ashtu ka bërë thirrje për reflektim të sinqertë mbi qëndrimet e së kaluarës ndaj Gjykatës Speciale, duke kujtuar se shumë prej atyre që sot e kundërshtojnë, dikur kanë qenë mbështetës të saj. Një shembull i përmendur është kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në vitin 2015 kishte ndërhyrë drejtpërdrejt për të ndikuar në votimin pro themelimit të kësaj gjykate.

“Por, Lëvizja VETËVENDOSJE!, si atëherë më 2015, si sot më 2025, është e palëkundur se drejtësia duhet të ndriçojë të vërtetën — dhe e vërteta është në anën e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës,” thekson më tej reagimi.

Në përmbyllje, VETËVENDOSJE! u bën thirrje institucioneve të Shqipërisë dhe shteteve mike të Kosovës që këtë çështje ta trajtojnë në forume ndërkombëtare, si OKB, Këshilli i Evropës dhe OSBE, për të mbrojtur të vërtetën e luftës dhe për të kërkuar drejtësi ndaj krimeve të kryera nga Serbia.

Back to top button