
Ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj, ka folur një ditë para shpalljes së verdiktit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë. Vendimi pritet të shpallet më 16 shtator.
Në emisionin “Pressing”, Limaj ka rikujtuar moshën e re që kishin drejtuesit e UÇK-së kur iu bashkuan luftës dhe ka veçuar rolin e Hashim Thaçit në shpalljen e pavarësisë.

“Nesër para bankës së të akuzuarve është personi që e ka shpallur pavarësinë. Pse? Në një moment ai njeri ka vendosur me ju fut një lufte që nuk ka besuar që mund ta bëjë realitet që mund ta largojë Serbinë nga Kosova. Unë i kam pas 27 vjet, Hashimi 29, Kadria 29, me Rexhën bashkëmoshatarë”, ka thënë Limaj.
Limaj ka deklaruar gjithashtu se pret që ky proces të përmbyllet me lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së, duke e krahasuar pritjen me përvojën e tij dhe të Ramush Haradinajt në Hagë.



