
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, gjatë një tubimi në Kaçanik ka prezantuar zotimet e partisë për mbështetjen e familjeve dhe fëmijëve në Kosovë.
Abdixhiku tha se LDK synon ta afrojë shtetin më pranë familjes përmes krijimit të Ministrisë së Familjes.
“Ne do ta bëjmë shtetin krah të familjes. Me Ministrinë e Familjes”, deklaroi ai.
Sipas Abdixhikut, programi i LDK-së parasheh 200 euro në muaj për çdo të porsalindur gjatë vitit të parë të jetës.
“200 euro në muaj për secilin të porsalindur, për plot 12 muaj – 2400 euro mbështetje për fillimin e jetës së secilit fëmijë”, tha ai.
Ai shtoi se do të ketë edhe mbështetje mujore për çdo fëmijë deri në moshën 16-vjeçare.
“Familja nuk duhet ta ndiejë shtetin vetëm në prag zgjedhjesh, por në përditshmërinë e saj”, u shpreh Abdixhiku.



