Lumir Abdixhiku: Prishtina do t’i japë përgjigjen e madhe Albin Kurtit

Kryetari i LDK-së thotë se popullistët nuk do të mund ta ndalin besimin e qytetarëve në ndryshimin që po sjell qeverisja në kryeqytet.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dërguar një mesazh mobilizues në prag të balotazhit të 9 nëntorit, duke theksuar se qytetarët e Prishtinës do të japin shembullin e parë të ndryshimit politik në vend.

“Nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë. Nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd,” ka deklaruar Abdixhiku, duke aluduar në kundërshtarët politikë.

Ai ka publikuar edhe një panoramë të kryeqytetit, duke thënë se Prishtina po ndriçohet si asnjëherë më parë, falë qeverisjes së LDK-së në kryeqytet.

“Le t’i japim përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokimit e kërcënimit për bllokim nuk ofron asgjë. Të dielën, më 9 nëntor, Prishtina flet e para! Prishtina i jep LDK-së atë që s’mund t’ia ndalin popullistët kurrë: besimin,” ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, ky besim përfaqëson një triumf të kohës dhe një etapë të re për gjithë Kosovën.

“Pas Prishtinës, nga zgjedhjet lokale deri në ato nacionale, le të flasë secili qytet, le të flasë e gjithë Kosova. Dritë do të ketë!” ka përfunduar Abdixhiku.

Back to top button