Lushtaku thotë se PDK-në s’e ka kontaktuar askush: Kam dëgju fjalë, por jo emra deputetësh

Deputeti i PDK-së akuzon Vetëvendosjen për krizën institucionale dhe thotë se partia e tij nuk do të tentojë formimin e qeverisë pa numra.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka deklaruar sot se nuk ka informacione konkrete nëse Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar të kontaktojë ndonjë deputet të PDK-së për të siguruar votat e domosdoshme për formimin e qeverisë së re.

Ai tha se ka dëgjuar vetëm zëra jozyrtarë për këtë çështje.

“Kam dëgju fjalë”, u shpreh Lushtaku, ndërsa theksoi se nuk ka asnjë informacion për emra të mundshëm.

“Jo, nuk e di…”, u përgjigj ai kur u pyet për deputetë të caktuar që mund të jenë kontaktuar.

Lushtaku theksoi se PDK nuk do të provojë të krijojë qeverinë në këtë fazë, duke shtuar se mungesa e numrave është arsyeja kryesore. Ai fajësoi partinë e parë të dalë nga zgjedhjet për situatën aktuale.

“Ne kemi thënë që nuk do të tentojmë ta krijojmë qeverinë, sepse nuk i kemi numrat, por ka qenë përgjegjësia e madhe e partisë së parë dhe falë saj e kemi këtë krizë institucionale dhe shoqërore”, deklaroi ai.

Back to top button