
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur në Prishtinë, pak orë para përfundimit të afatit për dorëzimin e emrit të mandatarit. Kadri Rahimaj konfirmon se kandidati për kryeministër mbetet Albin Kurti.
Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje është mbledhur të hënën në selinë qendrore të partisë në Prishtinë, disa orë para përfundimit të afatit për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e Qeverisë në përpjekjen e dytë.
Kryetari i Komunës së Kamenicës nga radhët e Vetëvendosjes, Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se partia ka marrë vendim që Albin Kurti të jetë sërish kandidati për kryeministër.
“Nuk ka shumë nevojë për diskutim në këtë pikë, ne e kemi kandidatin për kryeministër. Në rregull jemi për atë pjesë, ne vazhdojmë me procedurat e tjera të brendshme dhe do të bëhemi gati për proceset tjera”, ka deklaruar Rahimaj për mediat.
Ai shtoi se partia do të dalë me qëndrim zyrtar pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm.
Lëvizjes Vetëvendosje i kanë mbetur edhe dy ditë kohë për të vendosur nëse do të tentojë sërish formimin e qeverisë apo nëse do të hapë rrugën për zgjedhje të reja të parakohshme.
Sipas afatit kushtetues, më 5 nëntor përfundon periudha dhjetëditore brenda së cilës presidentja Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër ose të shpallë zgjedhjet.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në përpjekjen e parë nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend për të formuar qeverinë dhe i kishte kërkuar presidentes disa ditë kohë për të vendosur nëse do të tentojë përsëri apo do t’u bashkohet partive që kërkojnë zgjedhje të reja.



