Mediat në Shqipëri: Ish-ministri Liburn Aliu emërohet drejtor i Portit të Durrësit

Dy muaj pas dorëheqjes nga Qeveria Kurti, ish-ministri i Infrastrukturës merr drejtimin e një prej porteve kryesore në Shqipëri.

Në një lëvizje surprizuese, ish-ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, është emëruar drejtor i Portit të Durrësit, raporton portali VNA.al, duke u mbështetur në burime.

Dy muaj pas dorëheqjes nga pozita e ministrit në detyrë të Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2, Aliu, një nga figurat themelore të Vetëvendosjes, ka marrë këtë detyrë në Shqipëri. Sipas VNA.al, vendimi është marrë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë shqiptare, Belinda Balluku.

Në të njëjtën kohë, ministrja Balluku ka emëruar edhe Kreshnik Bajraktarin drejtor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Liburn Aliu është themelues i Vetëvendosjes dhe një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Ai ka shërbyer më shumë se katër vjet si ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2.

Dy muaj më parë, Aliu dha dorëheqje pas mosmarrëveshjeve të brendshme brenda Vetëvendosjes, duke përmendur propozimin e partisë dhe zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës si arsye të dorëheqjes.

Back to top button