
Ish-këshilltarja e ish-presidentes Vjosa Osmani, Meliza Haradinaj, ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me raportet e tij me Serbinë dhe arsyetimet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
Në një status të gjatë në rrjetet sociale, Haradinaj tha se për vite me radhë janë injoruar shqetësimet për afrimin e Ramës me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe për iniciativa si Ballkani i Hapur, ideja e shkëmbimit të territoreve, draft-statuti i Asociacionit dhe çështje të tjera.

Sipas saj, përgjigjja e Ramës ka qenë gjithmonë se kritikët “nuk e kuptojnë të ardhmen”, ndërsa e cilësoi këtë qasje si paternalizëm politik.
Haradinaj kritikoi edhe argumentin se hapja e një konsullate shqiptare në Bujanoc justifikon hapjen e një konsullate serbe në Shkodër.
“Po të ishte marrë seriozisht çështja e shqiptarëve në Serbi gjatë gjithë këtyre viteve, sot nuk do të negociohej një konsullatë si shpërblim reciprok”, ka shkruar ajo.



