Mero Baze: Kurti dhe Berisha po luftojnë protestat për UÇK-në, Thaçi tregoi trimëri duke pranuar Gjykatën Speciale

Publicisti Mero Baze ka kritikuar ashpër Albin Kurtin dhe Sali Berishën, duke i akuzuar se po pengojnë mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe po përhapin teori se Gjykatën Speciale e kanë themeluar Edi Rama e Hashim Thaçi.

Publicisti Mero Baze ka reaguar ndaj debatit të fundit për protestat në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në Hagë, duke thënë se ndaj këtyre protestave po zhvillohet “një betejë e ligë”, e ushqyer nga Albin Kurti dhe Sali Berisha.

Sipas Bazes, si Kurti ashtu edhe Berisha po përpiqen të bindin opinionin se Edi Rama dhe Hashim Thaçi kanë themeluar vetë Gjykatën Speciale, ndërsa Kurti “madje ka bërë edhe një serial në stilin Netflix” për ta propaganduar këtë version.

Baze thekson se Edi Rama e ka mbështetur drejtësinë për ish-luftëtarët e UÇK-së përmes veprimeve konkrete – duke i vizituar në Hagë, duke kërkuar mbështetje financiare për mbrojtjen e tyre dhe duke folur për ta në Strasburg – ndërsa Albin Kurti, sipas tij, ka zgjedhur “të dëmtojë procesin” duke dërguar raporte që pengonin lirimin e tyre.

Në shkrimin e tij, Baze thotë se Hashim Thaçi ka treguar “më shumë trimëri” duke pranuar krijimin e Gjykatës Speciale, e cila, sipas tij, ishte një domosdoshmëri për Kosovën për t’u treguar si shtet serioz.

“Thaçi dhe bashkëluftëtarët e tij po e përballojnë me dinjitet këtë proces, i cili, edhe pse i padrejtë, është një provë që do ta nderojë Kosovën”, shkruan Baze, duke shtuar se “ata që i ikën kësaj beteje dhe sot përgjojnë të tjerët, janë thjesht dezertorë të Kosovës”.

Back to top button