
Kryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka deklaruar se është arritur dakordim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.
Sipas Mexhitit, çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pritet të zgjidhet brenda tre muajve.
“Nuk kemi kërkuar, jemi marrë vesh, jemi dakorduar. Është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN”, deklaroi ai për Euronews.
Ai tha se marrëveshja nuk ka të bëjë vetëm me provimin e jurisprudencës, por edhe me fusha të tjera që lidhen me licenca dhe provime profesionale.
“Ligji i gjuhëve do të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren”, u shpreh Mexhiti.
Sipas tij, afati prej tre muajsh lidhet me procedurat ligjore që duhet të kalojnë në Qeveri dhe Parlament.
Ndërkohë, protesta e studentëve shqiptarë në Shkup ka nisur, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta nisi me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe thirrje “UÇK”, ndërsa organizatorët thanë se mbrojtja e gjuhës shqipe është çështje dinjiteti dhe barazie.



