Mexhiti uron Kurtin për rizgjedhjen, mesazh edhe para vendimit në Hagë: Jemi pranë Kosovës dhe luftës së pastër të UÇK-së

Një nga liderët e VLEN-it dhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit të Kosovës.

“E uroj mikun tim Albin Kurti për rizgjedhjen si Kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mexhiti.

banner

Ai ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut do ta vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë në projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe në të ardhmen evropiane të rajonit.

“Në periudhën përpara nesh, dy vendet tona do ta vazhdojnë bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh, në interes të qytetarëve tanë, me theks të veçantë te projektet e përbashkëta infrastrukturore, të cilat na afrojnë si asnjëherë më parë, dhe në ndërtimin e të ardhmes evropiane për rajonin tonë”, ka deklaruar ai.

Mexhiti ka theksuar se institucionet stabile, të ndërtuara mbi vullnetin e qytetarëve, janë garanci për qeverisje të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.

Ai ka folur edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke shprehur mbështetje për Kosovën dhe për atë që e cilësoi si “luftën e pastër çlirimtare”.

“Historia njeh shumë raste kur ligji është përdorur për të marrë vendime kundërthënëse, por asnjë vendim i politizuar nuk mund ta fshijë një të vërtetë historike dhe asnjë autoritet nuk mund ta zhbëjë me një akt juridik atë që një popull e ka fituar me vetëmohim e sakrifica”, ka shkruar Mexhiti.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.