“Legija” dyshohet se vrau gazetaren e BBC, shkak çështja e Kosovës

Ish-komandanti serb i njësisë famëkeqe “Beretat e Kuqe” po lidhet me një nga vrasjet më të mistershme në Britani të Madhe të viteve ’90.

Millorad Ulemek – “Legija”, ish-komandant i njësisë famëkeqe serbe “Beretat e Kuqe”, e akuzuar për krime lufte në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë, po vuan dënimin prej 40 vitesh për organizimin e vrasjes së kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dhe presidentit Ivan Stamboliq, si dhe për vepra të tjera penale.

Emri i tij këto ditë po lidhet edhe me një nga vrasjet më tronditëse të viteve ’90 në Britani të Madhe – atë të gazetares së BBC-së, Jill Dando. Më 26 prill 1999, Dando u qëllua me një plumb në kokë në hyrje të shtëpisë së saj në Fulham, perëndim të Londrës.

Në atë periudhë, lufta në Kosovë kishte arritur përmasat e një tragjedie botërore, ndërsa NATO kishte nisur bombardimet për të ndalur spastrimin etnik nga regjimi serb. Gazetarja e vrarë kishte bërë një apel publik për ndihmë ndaj refugjatëve kosovarë dhe kishte quajtur Kosovën një ish-territor jugosllav, një qëndrim që besohet se kishte zemëruar udhëheqësit serbë, përfshirë Slobodan Millosheviqin.

Pak orë pas vrasjes së Dandos, një telefonatë u bë në BBC duke pretenduar se ekzekutimi ishte përgjigje ndaj bombardimeve të NATO-s. Gazetat londineze, përfshirë “Mirror”, raportuan se Policia Metropolitane po analizonte provat e siguruara, duke përfshirë pamjet e kamerave që sipas ekspertëve mund të përputhen me fytyrën e Ulemekut.

Një ekspert i njohjes së fytyrës arriti në përfundimin se tiparet kryesore të fytyrës – forma e mjekrës, vijën e flokëve dhe gojën – përputhen plotësisht me ato të Ulemekut.

Back to top button