Murati: Supremja shfuqizoi udhëzimin e PDK-LDK-së për veteranët, jo të Qeverisë Kurti

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Administrativ për Veteranët e Luftës së UÇK-së, të miratuar në vitin 2015 gjatë qeverisë PDK-LDK. Ai theksoi se ky vendim nuk lidhet me qeverinë aktuale dhe i kërkoi mediave të ndalojnë, siç tha ai, raportimet tendencioze.

“Nuk bëhet fjalë për ndonjë udhëzim të miratuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti” deklaroi Murati, duke theksuar se interpretimet e kundërta e shtrembërojnë realitetin.

Sipas tij, Kryeministri Albin Kurti madje ka premtuar më herët se do të hiqen kufizimet për punësimin e veteranëve dhe se ky vendim i Supremes mund të hapë rrugën për realizimin e këtij zotimi.

Çka parashihte neni i shfuqizuar?

Neni kërkonte që aplikimi për statusin e Veteranit të UÇK-së të shoqërohej me dëshminë nga ATK se aplikuesi nuk ishte i punësuar. Pikërisht ky kufizim u vlerësua i paqëndrueshëm nga Gjykata Supreme.

Pse u vlerësua në kundërshtim me ligjin?

Gjykata konstatoi se neni binte ndesh me ndryshimet e vitit 2017 të Ligjit për Veteranët, që parashohin përfitim të 50 për qind të shumës për veteranët që punojnë jashtë sektorit publik, pas kategorizimit të tyre sipas pjesëmarrjes në luftë.

Mirëpo, Ministri Murati kujtoi se ky kategorizim ende nuk është përmbyllur. Ai paralajmëroi se Ministria e Financave dhe Transfereve do të analizojë nëse vendimi i Supremes mjafton për t’u mundësuar veteranëve të punësuar përfitimet, apo nëse duhen ndryshime ligjore shtesë.

“Zotimi i Kryeministrit është i qartë dhe ne do të punojmë që të realizohet sa më shpejt” përfundoi Murati, duke garantuar se qëllimi i qeverisë mbetet mbështetja e drejtë dhe e qëndrueshme e veteranëve të luftës.

Back to top button