Ministrja Kumbaro uron Liburn Aliun për Portin e Durrësit, më pas e fshin postimin

Ende të paqarta arsyet e heqjes së reagimit nga Facebook-u

Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, e ka hequr nga profili i saj në Facebook postimin ku kishte uruar ish-ministrin e Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, për emërimin e tij në postin e drejtorit të Portit të Durrësit.

Pak minuta pasi e publikoi urimin, Kumbaro e fshiu reagimin, ndërsa deri tani nuk dihen arsyet e këtij veprimi. Asnjë përfaqësues tjetër i Qeverisë së Shqipërisë nuk ka bërë deklarata publike për këtë emërim.

Në postimin tashmë të fshirë, ministrja Kumbaro kishte shkruar se Durrësi është portë e përbashkët drejt Adriatikut për Shqipërinë dhe Kosovën dhe kishte vlerësuar Aliun si “atdhetar dhe funksionar të sprovuar publik”, duke kujtuar bashkëpunimin e tyre të mëparshëm institucional.

Liburn Aliu, një nga bashkëthemeluesit e Vetëvendosjes dhe ish-ministër i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, dha dorëheqje dy muaj më parë pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.

Në Shqipëri dhe Kosovë janë publikuar raportime se Aliu është emëruar drejtor i Portit të Durrësit, por vendimi zyrtar ende nuk është bërë publik.

Back to top button