Molliqaj: Hamza, “ministër në tentativë” i Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vazhduar kritikën ndaj partive opozitare, dhe në dy video që ka publikuar, ato i ka drejtuar ndaj kryetarit të Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, e ndaj bartëses së listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike (LDK), Vjosa Osmani.

Për Hamzën ka thënë se veç lider opozitar nuk mund të jetë.

banner

Molliqaj i është referuar një pjese të fjalimit të Hamzës të bërë në tubimin hapës të fushatës një natë më parë në Ferizaj. Aty, kryetari i PDK-së shtron pyetje para mbështetësve: A jetoni më mirë sot? A janë ulur çmimet? A po ju mjaftojnë pagat? Dhe, pas pyetjeve, thotë se e dinë të gjithë qytetarët e Kosovës se nuk mjaftojnë.

Molliqaj e ka cilësuar fjalimin si të një “ministri në tentativë të financave” të Albin Kurtit, sesa i një lideri opozitar.

“Ky nuk mund të bëjë më shumë. Ky nuk ka bërë opozitë qe gjashtë vite. Ky nuk ka shanse të bëjë opozitën prapë sepse ky nuk është për këtë punë. Ky është thjeshtë një kontabilist, i cili e sheh politikën përmes financave”, ka thënë Molliqaj. “Pra, një fjalim tepër i lodhtë, pa pikë shpirti, pa pikë zemre, pa pikë entuziazmi, që i drejtohet votuesit të vet”.

Molliqaj ka thënë se Kosova ka nevojë për opozitë konsistente dhe se nuk ka nevojë për liderë që përgatiten të ndajnë hise me Kurtin.

“Ne besojmë se Kosova duhet të ketë opozitë e opozitë përnjëmend është Partia Socialdemokrate”, ka thënë Molliqaj.

Në një video tjetër, ka kritikuar Osmanin, të cilën LDK-ja e ka nominuar si kandidate për presidente. Për të ka thënë se është pa ide dhe e ka akuzuar se për interes e pak më shumë pushtet, e keqpërdor figurën e Ibrahim Rugovës.

Ai ka marrë shkak nga fjalimi i një dite më parë që ka mbajtur Osmani në tubimin hapës të fushatës, e ku 25 herë ka përdorur mbiemrin Rugova apo fjalën rugovizëm.

“E sfidoj Vjosa Osmanin dhe krejt LDK-në, le të na gjejnë një fjalim të vetëm të Vjosa Osmanit kur ka qenë në LDK, ose për këto pesë vjet që ka qenë në Presidencë nëse kaq shpesh brenda një fjalimi e ka përdorur Ibrahim Rugovën”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se në mungesë të ideve e të qartësisë për çka garon, përmend Rugovën.

“Ky është keqpërdorim klasik i Rugovës për interesa e tua, për pushtetin tënd”, ka thënë Molliqaj./Koha

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.