
Radmila Sekerinska thekson se prania e shtuar e trupave të Aleancës synon ruajtjen e paqes dhe mbështetjen e dialogut Kosovë–Serbi.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Sekerinska, ka deklaruar se stabiliteti dhe siguria në Kosovë mbeten prioritet kyç për Aleancën, veçanërisisht pas tensioneve të fundit në komunat veriore. Ajo vuri në dukje se roli i KFOR-it është thelbësor për ruajtjen e qetësisë dhe për krijimin e kushteve që procesi politik të ecë përpara.
“NATO mbetet e përkushtuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, sepse është rajon me rëndësi strategjike për ne. Prania jonë më e dukshme është përmes misionit KFOR, i cili është misioni më i madh i Aleancës. Qëllimi ynë është të garantojmë paqe, siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë në Kosovë”, tha Sekerinska për Teve1.
Ajo konfirmoi se vendimi për rritjen e trupave të KFOR-it – rreth 1000 ushtarë shtesë – u mor pas ngjarjeve të vitit 2023, si masë për të siguruar se misioni mund të përmbushë mandatin e tij. Sekerinska theksoi se KFOR-i bashkëpunon ngushtë me institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe forcat e armatosura serbe.
Duke folur për takimin e fundit të ministrave të jashtëm të NATO-s, ajo tha se, ndonëse fokusi kryesor ishte tek mbështetja e Ukrainës, shumë ministra nënvizuan rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. “Siguria euro-atlantike varet shumë nga ajo që ndodh në Ballkanin Perëndimor. Situata në rajon nuk duhet të neglizhohet”, u shpreh ajo.
Në përmbyllje, Sekerinska theksoi se roli i NATO-s dhe KFOR-it është të mbështesë procesin politik, e jo ta zëvendësojë atë. “Prania ushtarake nuk mund të sjellë paqe afatgjatë; vetëm dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mund ta bëjë këtë”, tha ajo.



