
Partia Nisma njofton se nuk do të marrë pjesë në seancën e së shtunës, duke e cilësuar atë të improvizuar, pa konsultime dhe të papërgjegjshme në raport me çështjet e rëndësishme shtetërore.
NISMA Socialdemokrate ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit, e cila është thirrur për orën 11:00. Sipas partisë, seanca është organizuar me urgjencë, pa konsultime paraprake me subjektet politike dhe pa një agjendë të dakorduar, ndonëse përfshin çështje me peshë për vendin.
Në komunikatën për media thuhet se vendi ndodhet prej muajsh në krizë të qartë politike, për shkak të mungesës së shumicës parlamentare – një fakt që, sipas tyre, është konfirmuar publikisht nga të gjitha partitë gjatë takimeve me Presidenten e Republikës. Sipas NISMËS, në vend të një zgjidhjeje, janë zvarritur proceset dhe janë krijuar “iluzione për shumicë që nuk ekziston”.
Partia thekson se ka qenë forca më konstruktive në këtë periudhë, duke kërkuar marrëveshje politike, koordinim ndërmjet subjekteve dhe përgjegjësi të përbashkët, pa kalkulime elektorale. NISMA thotë se ka ofruar gatishmëri të pakushtëzuar për çdo zgjidhje që i shërben vendit, por nuk ka pranuar të bëhet pjesë e skenarëve që, sipas saj, e thellojnë bllokadën.
“Thirrja e kësaj seance, pa agjendë të dakorduar, pa konsultim dhe pa respektim të rregullave parlamentare, nuk e pasqyron seriozitetin që kërkojnë marrëveshjet ndërkombëtare, angazhimet financiare dhe çështjet buxhetore,” thuhet në komunikatë, duke shtuar se këto çështje nuk mund të trajtohen si “dekor për fushatë” apo mjet propagande.
Për këto arsye, NISMA Socialdemokrate konfirmon se nuk do të marrë pjesë në seancë, duke theksuar se do të vazhdojë të angazhohet për zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve, rikthejnë normalitetin institucional dhe respektojnë rendin kushtetues.
Në përfundim, subjekti politik vlerëson se vendi ka nevojë për “qartësi, përgjegjësi dhe veprim të matur, jo lëvizje të nxituara me prapaskenë elektorale”.



