
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njofton se ekipet teknike po punojnë 24 orë për stabilizimin e prodhimit vendor të energjisë.
Njësitë B2 dhe A3 të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) pritet të rikthehen në funksion gjatë mbrëmjes së sotme, ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ajo këtë njoftim e ka dhënë pas një takimi me menaxhmentin e KEK-ut, duke theksuar se aktualisht tri njësi të tjera, B1, A4 dhe A5, tashmë janë në operim. Sipas saj, ekipet teknike po punojnë pa ndërprerë në tri ndërrime, 24 orë në ditë, me qëllim që sa më shpejt të rikthehen në funksion edhe njësitë B2 dhe A3.
“Nga KEK-u presim që gjatë kësaj periudhe të ftohtë, kur kërkesa është e lartë, të punojë me 5 blloqe. Ndonëse kjo është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot. Për këtë i falënderoj secilin punëtor e menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik”, ka shkruar Rizvanolli.
Ajo ka shtuar se, për krahasim, gjatë 25 viteve të fundit KEK ka punuar me pesë njësi vetëm 55 ditë në total, duke kërkuar angazhim dhe përgjegjësi maksimale nga menaxhmenti dhe punonjësit për t’i sjellë dhe mbajtur në operim të gjitha njësitë gjatë muajve të ftohtë.
Ndërkohë, të hënën ministrja ka publikuar edhe një video ku shihen punëtorët e KEK-ut duke punuar në terren, duke bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, KOSTT ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike gjatë ditës për shkak të kërkesës së lartë për furnizim. Ndërsa nga KESCO kanë thënë se, për shkak të mungesës së prodhimit vendor dhe mundësive të kufizuara për import, situata është vështirësuar.



