
Gazetari Marin Mema ka reaguar ndaj diskutimeve për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj një ideje të tillë.
Në një postim në rrjetet sociale, Mema tha se në Shkodër nuk ka minoritet serb, ndërsa në Vrakë ekziston vetëm një pakicë malazeze e njohur zyrtarisht nga shteti shqiptar.

“Çdo projekt për hapjen e një konsullate serbe në qytetin me histori të lashtë, Shkodër, është i papranueshëm”, ka shkruar ai.
Mema theksoi se Lugina e Preshevës, Bujanoci dhe Medvegja janë të banuara nga shqiptarë dhe se, sipas tij, shteti shqiptar duhet të hapë një konsullatë në këtë rajon.
“Në Luginë duhet hapur një konsullatë shqiptare. Kjo duhet me çdo kusht, madje është e vonuar”, ka shkruar Mema.
Ai shtoi se shqiptarëve të Luginës u nevojitet mbështetje më e madhe institucionale nga Shqipëria dhe kundërshtoi hapjen e konsullatave serbe apo greke në zona ku, sipas tij, nuk ka minoritete të këtyre komuniteteve.



