
Bullgaria konfirmon mbështetjen për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe thirrjen për heqjen e masave të BE-së.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad ka zhvilluar një takim me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, të cilin e ka vlerësuar si mik të Kosovës dhe mbështetës të synimeve të saj euroatlantike.
Në njoftimin e saj, Osmani ka bërë të ditur se temë qendrore e diskutimit ka qenë heqja e masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, si dhe procesi i avancimit të aplikacionit për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.
“Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike. Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se të dy vendet ndajnë interesin e përbashkët për forcimin e stabilitetit rajonal dhe thellimin e bashkëpunimit në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik.



