PDK: Çdo tentativë për mandatim të ri nga Vetëvendosje është humbje kohe — zgjidhja janë zgjedhjet e reja

Partia Demokratike e Kosovës thotë se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe kërkon ndërprerjen e çdo përpjekjeje për zgjatje artificiale të procesit të formimit të qeverisë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me situatën aktuale politike, duke vlerësuar se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik e institucional që kërkon vendime të qarta dhe të përgjegjshme, në përputhje me realitetin parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Në deklaratën e saj, PDK thekson se është tashmë e qartë që shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, nuk e mbështesin asnjë mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione,” thuhet në reagim.

PDK thekson se, ashtu siç Albin Kurti dështoi të sigurojë shumicën, çdo përpjekje tjetër për të zgjatur procesin nga Vetëvendosje është e destinuar të dështojë. “Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë,” shton partia.

Sipas saj, injorimi i këtij realiteti do të thellonte krizën politike dhe pasigurinë institucionale, duke dëmtuar stabilitetin dhe besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.

Në këtë kontekst, PDK kërkon përfundimin e çdo skeme zvarritëse dhe improvizimi politik, duke e cilësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja të parakohshme si zgjidhjen e vetme të drejtë dhe demokratike.

“Zgjedhjet do t’ia kthejnë sovranit – qytetarit të Republikës së Kosovës – të drejtën për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja,” thuhet në deklaratë.

PDK gjithashtu akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për zvarritje të krizës politike gjatë këtij viti, duke theksuar se kjo ka sjellë dëm ekonomik, pasiguri sociale dhe përkeqësim të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, partia shprehet e gatshme të kontribuojë në çdo proces që forcon stabilitetin institucional dhe demokracinë parlamentare në vend.

Back to top button