PDK konfirmon: Bedri Hamza sërish kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme

Memli Krasniqi thotë se Hamza është njeriu i duhur për fazën që e pret Kosovën, duke kritikuar qeverinë për përkeqësim të gjendjes ekonomike dhe ndërkombëtare.

Partia Demokratike e Kosovës do të rikandidojë Bedri Hamzën për kryeministër në rast se vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, gjatë një interviste mbrëmë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

“Unë besoj që po. Siç e kam thënë prej ditës kur e kam nominuar, dhe tash bëhet më shumë se një vit nga ajo kohë, ai (Bedri Hamza) është personi më i duhur për fazën që po na pret”, deklaroi Krasniqi.

Sipas tij, situata në vend është përkeqësuar kohëve të fundit, si në aspektin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, ashtu edhe në raportet ndërkombëtare të Kosovës.

Kreu i PDK-së theksoi se programi politik me të cilin kanë garuar më herët dhe që është udhëhequr nga Bedri Hamza mbetet aktual edhe sot, duke theksuar nevojën për rritje pagash e pensionesh, ulje të kostos së energjisë, liberalizim ekonomik dhe mbështetje më të madhe për bizneset dhe sektorin privat.

Back to top button