Peci: Çdo përafrim i LDK-së me PDK-në e çon drejt shkatërrimit, me VV-në konsolidohet

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut thotë se LDK-ja mund të konsolidohet vetëm përkrah Vetëvendosjes, duke paralajmëruar humbje të mëtejshme nëse afrohet me PDK-në.

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka shprehur kritika të ashpra ndaj mundësisë së bashkëpunimit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës. Ai paralajmëroi se një afrimitet i tillë do ta dëmtonte rëndë strukturën dhe përkrahjen e LDK-së në vend.

Në një intervistë në emisionin “Mesditë” në Tëvë1, Peci u shpreh se LDK-ja duhet ta shohë Lëvizjen Vetëvendosje si partnerin e saj të vetëm politik, nëse synon të rikthejë qëndrueshmërinë dhe influencën që dikur ka pasur.

“LDK-ja mundet t’i konsolidojë radhët vetëm duke e parë partner Vetëvendosjen. Çdo përafrim me PDK-në e çon LDK-në drejt shkatërrimit, historia e ka treguar këtë. Në vitin 2019, LDK-ja dhe VV-ja kishin vetëm 1.7 për qind dallim. Shikoni ku janë sot: LDK-ja atëherë kishte 29 për qind, e sot ka vetëm 3 për qind në Mitrovicë. Çdo koketim me PDK-në e shkatërron LDK-në”, theksoi Peci.

Ai i bëri thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Jugut që më 9 nëntor të zgjedhin një kandidat që ka qenë pjesë e LDK-së në të kaluarën, duke kujtuar edhe episode të rënda politike të viteve të shkuara.

“Në vitin 2019, PDK-ja dhe grupet kriminale të afërta me të e kanë kidnapuar një të ri, duke menduar se po më kidnapojnë mua. Në atë kohë kandidat ishte Mursel Ibrahimi nga LDK-ja”, u shpreh Peci.

Ai shtoi se brenda LDK-së nuk po sheh reforma të prekshme, pavarësisht deklarimeve të drejtuesve të saj.

“Pretendohet për reformë, por nuk po e shoh. Uroj që LDK-ja të konsolidohet, nëse e ndjek vullnetin qytetar. Vullneti qytetar është që Albin Kurti të jetë kryeministër”, përfundoi ai.

Back to top button