Përparim Rama: Na duhet një fitore tjetër, t’i përfundojmë projektet që i kemi nisur me dashni e përgjegjësi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, një ditë para zgjedhjeve, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për vazhdimin e projekteve dhe vizionit të tij për kryeqytetin.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video-mesazh në rrjetin social Facebook, një ditë para zgjedhjeve lokale. Në mesazhin e tij, Rama ka theksuar se puna për zhvillimin e kryeqytetit nuk ndalet dhe se projektet e mëdha që kanë nisur gjatë mandatit të tij duhet të vazhdojnë.

“Më të dashurit e mi, qytetarë të Prishtinës, katër vite më parë nisëm bashkë një rrugëtim të ri për kryeqytetin tonë, me përkushtim e dashni për Prishtinën, që ta bëjmë më funksionale, më të gjelbër e më moderne, ashtu siç i takon. Kemi nisur një rrugë që nuk ndalet, rrugën e projekteve të mëdha, të punës e zhvillimit, e të kthimit të dinjitetit qytetar për fëmijët e familjet”, tha Rama.

Ai theksoi se puna e tij nuk ka përfunduar, duke përmendur projektet infrastrukturore, shkollat me mësim tërëditor, kopshtet e reja dhe ambulancat shëndetësore që synojnë t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve.

“Për ta çuar këtë vizion deri në fund na duhet një fitore tjetër. T’i përfundojmë projektet që i kemi nis me dashni e përgjegjësi. Ta çojmë Prishtinën përtej,” shtoi Rama, duke falënderuar qytetarët, ekipin dhe vullnetarët për mbështetjen e tyre.

Në fund të mesazhit, ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në votime të dielën, duke e quajtur atë “ditën e demokracisë dhe të fitores së Prishtinës”.

Back to top button