Kompletohet Grupi Punues për Apelin në Hagë, Vlora Çitaku përfaqëson Kuvendin

Është kompletuar Grupi Punues për hartimin dhe harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit janë përcaktuar edhe përfaqësuesit politikë që do të jenë pjesë e këtij grupi.

Kryesia ka vendosur që Kuvendi i Kosovës të përfaqësohet nga nënkryetarja Vlora Çitaku.

Grupi Punues do të kryesohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca. Në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe pritet të përfshihen edhe ekspertë të fushës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur kompletimin e Grupit Punues, duke vlerësuar se përfshirja e institucioneve të ndryshme do ta mundësojë një kontribut më të gjerë në përgatitjen e strategjisë shtetërore.

“Gjithmonë kam konsideruar se rruga më e mirë në drejtim të këtij procesi është që të formohet strategjia ashtu që, përveç se të kryesohet nga ministri i MPJD-së, Glauk Konjufca, të ketë edhe përfaqësues nga institucionet e tjera, që jam shumë e bindur se do të japin kontributin në këtë proces shumë të rëndësishëm”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Çitakun, në mënyrë që Kuvendi ta japë kontributin maksimal në këtë proces.

Sipas Haxhiut, në Grupin Punues pritet të ftohen edhe ekspertë, të cilët do të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre në hartimin e strategjisë për procedurat e Apelit.

Në fund, kryetarja e Kuvendit ka shprehur shpresën se kjo qasje do të jetë rruga e duhur për përballjen me procesin në Hagë, të cilin e ka cilësuar si të padrejtë.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.