
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se kanë rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pas miratimit të kërkesës nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).
Përmes një videoje nga sheshi, Rama tha se bllokadat dhe pengesat e panevojshme kanë vonuar realizimin e projektit dhe kanë penalizuar qytetarët e Prishtinës.
“Sheshet janë të qytetarëve dhe për qytetarët”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se Komuna do të vazhdojë me realizimin e projekteve transformuese në kryeqytet.
“Na jemi këtu për me punu, e jo për me blloku e me shit propagandë”, tha ai.
Sipas Ramës, punimet tani do të vazhdojnë me intensitet më të lartë.
“Pra, ka pas veç vonim, jo pshtim”, u shpreh ai në video.
Ndërkohë, IKMM ka miratuar kërkesën e Drejtorisë për Transformim të Komunës së Prishtinës, duke dhënë pëlqimin për realizimin e punimeve të infrastrukturës nëntokësore në këtë shesh.
Rama tha se letra e miratimit është pranuar sot nga Komuna.



