
Mbrëmë OVL e UÇK-së lëshoi një komunikatë publike përmes sëcilës dha një ultimatum ndaj pushtetit për të arritur marrëveshjen për projektligjin për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, shkruan Gazeta Politika.
Kjo organizatë akuzoi se Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është duke kalkuluar edhe në këtë projektligj.
Tutje, OVL-ja lëshoi edhe një ultimatum për të arritur marrëveshjen, duke paralajmëruar se në rast të dështimit, do të nis përshkallëzimin e protestave.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit” – shkroi OVL, transmeton Gazeta Politika.
Sidoqoftë, nuk ka indikacione nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për temën e projektligjit për Specialen.
Sjellim ndër mend që OVL-ja ka kërkuar që përmes ndryshimit të ligjit të ndalohet rihapja e rasteve të gjykuara nga ana e Tribunalit të Hagës, UNMIK-ut, EULEX-it dhe gjykatave të tjera vendore.
Postimi i plotë i OVL të UÇK-së:
Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje politike për votimin e menjëhershëm të plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, si dhe pas lojës së vazhdueshme politike e procedurale të Albin Kurtit me një çështje kaq të ndjeshme, durimi i veteranëve të UÇK-së dhe i qytetarëve të Kosovës po merr fund.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i fton të gjithë qytetarët që të hënën, më 5 tetor, nga ora 12:00, të mblidhemi para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë ndaj kësaj qasjeje të papërgjegjshme të pushtetit.
Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së janë thellësisht të indinjuara me qasjen e z.Kurt, i cili po bënë kalkulime politike edhe me dhimbjen, sakrificën dhe dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.
Afati për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe procedurale që do të mundësonte votimin e menjëhershëm të të dy leximeve të plotësimeve dhe ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale, për veteranët e UÇK-së është vetëm deri nesër, e diel.
Nëse deri nesër nuk ka dakordim, nga e hëna veteranët e UÇK-së do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre.
Ky pushtet, në vend që të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe ta adresojë qartë këtë çështje, po vazhdon të shtyjë, të kalkulojë dhe të abuzojë politikisht me një çështje që prek drejtpërdrejt mijëra familje dhe njerëz që bartin plagët e luftës.
Veteranëve dhe qytetarëve të Kosovës u është shterur durimi.
Të hënën, në ora 12:00, ju ftojmë të gjithëve para Kuvendit të Kosovës.



