
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që lejonte votimin me dokumente të skaduara në përfaqësitë diplomatike për zgjedhjet e 7 qershorit.
PZAP bëri të ditur se e ka aprovuar ankesën e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) kundër vendimit të KQZ-së.
“Anulohet vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë”, thuhet në vendim.
Sipas PZAP-it, KQZ nuk ka pasur autorizim ligjor që përmes vendimit administrativ të lejojë votimin me dokumente të skaduara.
Paneli vlerësoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon qartë dokumente të vlefshme identifikimi për votim.
“Neni 90 kërkon shprehimisht dokumente të vlefshme të identifikimit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-it.
Sipas panelit, vlefshmëria e dokumentit është kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit.
PZAP po ashtu vlerësoi se regjistrimi i votuesve me dokumente të skaduara nuk nënkupton automatikisht të drejtën për të votuar me ato dokumente në ditën e zgjedhjeve.



