
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërmarrin sa më shpejt hapat për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Qalaj tha se zvarritja e konstituimit të institucioneve nuk është në interes të qytetarëve dhe akuzoi Kurtin se po e vonon me qëllim këtë proces.

“I bëj thirrje Kurtit dhe partisë që ka fituar më së shumti ulëse në Kuvend që sa më shpejt të ndërmarrin iniciativa për formimin e institucioneve. Kjo zvarritje nuk i konvenon popullit të Kosovës. Kurti me qëllim është duke e zvarritur këtë proces për të manipuluar dhe keqpërdorur buxhetin e Kosovës për qëllime elektorale”, deklaroi Qalaj.
Ai tha se mungesa e një Kuvendi funksional pamundëson mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë, pasi ministrat dhe kryeministri nuk mund të raportojnë para deputetëve.
Sipas Qalajt, buxheti i shtetit duhet të menaxhohet në mënyrë transparente dhe me miratim të Kuvendit, duke shtuar se vendimet e marra pa mbikëqyrje parlamentare mund të kontestohen nga aspekti ligjor.
Duke folur për mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, ai përsëriti se është kundër bashkëqeverisjes me Kurtin dhe se PDK-ja synon të mbetet në opozitë.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Qalaj tha se nuk e sheh problem që kreu i shtetit të vijë nga një parti politike, për sa kohë që bëhet fjalë për një figurë të pranueshme dhe zgjedhja e tij është rezultat i një marrëveshjeje politike.
“Është e papranueshme, jo normale dhe jo logjike që tri postet kryesore të vendit t’i takojnë një subjekti politik”, përfundoi ai.



