
Akademiku thotë se paralajmërimet e tij për drejtësinë e njëanshme ndaj luftës çlirimtare u injoruan.
Akademiku dhe shkrimtari i njohur Rexhep Qosja ka rikthyer në vëmendje sot një tekst të tij të vitit 2015, në të cilin ishte kundër themelimit të Gjykatës së Veçantë për Kosovën. Ai e ka ripostuar të plotë reagimin e asaj kohe, duke theksuar se paralajmërimet e tij për pasojat politike dhe morale të krijimit të kësaj gjykate ishin të drejta.
Në shkrimin e tij të vitit 2015, Qosja e quante themelimin e Gjykatës “cinizëm të jashtëzakonshëm”, sepse, sipas tij, ajo barazonte luftën mbrojtëse të shqiptarëve me luftën pushtuese të Serbisë. Ai argumentonte se shqiptarët nuk duhet të “vetëdënohen”, duke krijuar vetë një institucion që do të gjykonte prijësit e luftës çlirimtare.
“S’duhet të vetëdënohemi përsëri. Jo. Le të na dënojë tjetërkush, por jo ne vetveten”, shkruante Qosja në atë kohë.



