Quni i del në krah Zemajt: Është i pathyeshëm para kërcënimeve- Jam shumë me fat që e kam bashkëpunëtor

Quni e përshkruan Zemajn si “fisnik” dhe “i pathyeshëm para kërcënimeve”, duke vlerësuar profesionalizmin dhe integritetin e tij.

Pas përplasjes fizike të ditës së djeshme mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, dhe një qytetari, Anton Quni ka dalë në mbrojtje të tij. Në një postim në rrjetet sociale, Quni e përshkruan Zemajn si “fisnik në sjellje”, duke theksuar se kontributi i tij sjell “një frymë pozitive dhe qetësie në ekip”.

Quni thekson se Zemaj qëndron “si një mur” në një botë ku shumë lëkunden nga frika dhe se ai është “i pathyeshëm para kërcënimeve”. Sipas Qunit, për Zemajn, parimet, drejtësia dhe e vërteta janë më të shtrenjta se siguria personale.

“Jam shumë me fat që kam bashkëpunëtor si Armend! Ai menaxhon situatat më sfiduese me urtësi dhe paqe, dhe përkushtimi i tij ndikon drejtpërdrejt në suksesin e përbashkët”, ka shkruar Quni.

Ky postim vjen në një moment ku imazhi publik i Zemajt u vu në provë pas përplasjes me qytetarin, dhe përmban një mesazh të qartë mbështetjeje dhe afirmimi të integritetit të tij personal dhe profesional.

Back to top button