
Një qytetar, Sherif Rrahmani ka reaguar ndaj një postimi të kandidatit për komunën e Çairit, Bujar Osmani, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të nënës së tij në fushatën zgjedhore.
Çfarë kishte postuar Osmani?
Osmani publikoi një fotografi me një grua të moshuar, duke shkruar:
“Sot, derë më derë te Liria, më hapi derën një nënë e moshuar dhe shumë pozitive. Më tha: ‘Dua një foto me ty, sepse jam me gjithë zemër me ty dhe dua që ta publikosh.’ Këto fjalë më mbushën zemrën dhe më dhanë edhe më shumë kuptim për gjithçka që po bëj.”
Çfarë tha Rrahmani?
Rrahmani reagoi duke thënë se gruaja në foto është nëna e tij, e cila është nga Likova dhe nuk ka asnjë lidhje me Çairin. Ai shtoi se ajo është manipuluar nga persona që i kanë thënë se Osmani është pjesë e koalicionit VLEN.
“Është manipuluar pa dijeni nga disa njerëz, dhe gjitha fjalët që i ka thënë, i ka thënë duke menduar se Bujari është nga VLEN-i. Përndryshe, unë jam dhe vazhdoj të jem kryetar i nëndegës së Alternativës në Likovë dhe mbështetës aktiv i koalicionit VLEN”, shkroi Rrahmani.
Ai i bëri thirrje Osmanit që ta fshijë fotografinë dhe ta ndalë, siç tha, “manipulimin dhe gënjeshtrat”, duke përfunduar reagimin me fjalën: “Turp!”



