Rama: Kurti po kërcënon qytetarët me paratë e tyre

Kryetari i Prishtinës akuzon Kurtin për shantazh elektoral dhe përdorim të buxhetit publik për përfitime politike.

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, duke i cilësuar ato si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe vetë demokracisë në Kosovë.

“Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie – janë pronë e popullit të Kosovës,” ka deklaruar Rama.

Sipas tij, Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral, duke u përpjekur të blejë vullnetin e njerëzve me para publike. “Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik,” ka shtuar ai.

Rama ka theksuar se, si kryetar i kryeqytetit, nuk do të heshtë përballë një mentaliteti autokratik që synon t’i ndajë qytetarët në “tanët” dhe “të tjerët.”

“Ne do të vazhdojmë të punojmë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake, sepse zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme,” ka thënë ai, duke nënvizuar se buxheti i shtetit duhet të jetë mjet zhvillimi për të gjithë, jo armë politike.

Në përfundim, Rama ka theksuar se kushdo që e përdor buxhetin e shtetit për të ndëshkuar apo shpërblyer votues, e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr vendin.

Back to top button