
Akademiku Qosja e përshkruan ish-kryeministrin shqiptar si një figurë të gjithanshme të jetës publike dhe si njeriun që përpiqej të bashkonte socializmin me demokracinë dhe traditën me modernitetin.
Akademiku Rexhep Qosja ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, duke e cilësuar atë si një figurë të rrallë të politikës shqiptare dhe si njeri me ndikim të thellë në zhvillimin e shtetit shqiptar pas viteve ’90.
“Lajmi për ndarjen e Fatos Nanos nga jeta më solli një trishtim të heshtur, por edhe një kujtesë të gjallë të një kohe që shënoi zhvillimin e shtetit shqiptar drejt vetëdijes së tij të fuqishme politike,” shkruan Qosja.
Në vlerësimin e tij, Nano ishte “një nga figurat më të gjithanshme të jetës publike shqiptare — politikan me kulturë të gjerë, polemist me mendim të vendosur që nuk i fshihte as pasionin, as kontradiktat e veta.”
Sipas Qosjes, ish-kryeministri përfaqësonte një politikë me thellësi mendimi e arsyetimi, që i mungon politikës së sotme:
“Tek ai shquhej një përmbajtje mendore e vendimmarrëse që i mungon politikës së sotme: ai thoshte, lexonte, dyshonte — cilësi këto të rralla në një botë politike që shpesh shpreh bindje pa vendime!”
Qosja shtoi se Fatos Nano do të kujtohet në historinë kombëtare si njeriu që përpiqej të krijonte një raport të ri midis socializmit dhe demokracisë, midis traditës dhe modernitetit, midis njeriut të lirë dhe shtetit të përgjegjshëm.
“Sot, me largimin e tij, mbyllet një kapitull i gjithanshëm e i gjatë i shndërrimeve në jetën tonë historike — i njerëzve që e nisën politikën si mision,” përfundon akademiku.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Qosja e përkujton Nanon si një figurë të amshuar në kujtesën kombëtare, që “bënte çmos për të ndërtuar lirinë e shtetit për të gjithë, përmes arsyes socialiste, demokratike dhe gjithëkombëtare.”



