Rob Jetten, fitues i zgjedhjeve në Holandë, dhe lidhja e veçantë me Kosovën

Një kujtim nga e kaluara e politikanit holandez tregon anën e tij njerëzore – shpëtimin e një qeni të rrugës gjatë një udhëtimi në Kosovë.

Pas zgjedhjeve në Holandë, vëmendja e mediave është përqendruar te Rob Jetten, lideri i partisë liberale D66, i cili shihet si një nga kandidatët kryesorë për postin e kryeministrit. Por përtej karrierës politike, një detaj personal nga jeta e tij ka tërhequr vëmendjen dhe ka një lidhje të veçantë me Kosovën.

Në tetor të vitit 2023, Jetten ndau në Instagram një kujtim emocional, duke treguar se dhjetë vjet më parë, gjatë një udhëtimi me miqtë në Kosovë, kishte gjetur në rrugë një këlysh të vogël me këmbë të thyer. “E mora në një kuti kartoni për ta çuar te veterineri, por kur u zgjova në mëngjes ajo po tundte bishtin pranë meje dhe unë u dashurova menjëherë”, kishte shkruar ai.

Qenin e quajti “Muja” dhe e mori me vete në Holandë, ku u bë pjesë e familjes së tij për shumë vite. “Muja ishte rritur në rrugë dhe në fillim e pati të vështirë të përshtatej, por më mësoi shumë për durimin dhe më dha qetësi”, tregonte Jetten, duke reflektuar mbi përvojën që, sipas tij, i ka mësuar shumë për empatinë dhe përgjegjësinë.

Ky detaj i thjeshtë, por domethënës, po shihet nga shumë njerëz si një dëshmi e anës njerëzore të politikanit që mund të bëhet udhëheqësi i ardhshëm i Holandës.

Back to top button