banner

Rritja e kamatës “godet” qytetarët e bizneset – ekspertët paralajmërojnë “sfidë ekonomike”

Gjatë muajve të fundit, bankat në Kosovë kanë rritur në mënyrë të heshtur normat e interesit. Duke qenë një “shoqëri e kredisë”, me mbi 6.4 miliardë euro huamarrje, rritja e kamatës do të ndikojë në mënyrë të shumëanshme. Përveç ndikimit negativ të mundshëm mbi cilësinë e jetës së qytetarëve, rritja e interesit të kredive, mund të stagnojë zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve, duke rrezikuar një ngadalësim ekonomik në Kosovë.

Përkundër që sektori bankar ka shënuar fitime të lartë vitet e fundit, qytetarët dhe bizneset po përballen me kredi më të shtrenjte dhe kushte më të vështira huamarrjeje.

banner

Autor: Mirlind Behluli

Në bazë të të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vërehet një rritje në normën mesatare të interesit gjatë vitit 2025 në krahasim me vitin 2024. Në shtator të vitit 2025, norma mesatare e interesit, sipas BQK-së, ishte 6.9 për qind, ndërsa për të njëjtën periudhë mujore në vitin 2024, norma ishte 6.1 për qind.

Qytetari në hall

Egzon Rrahmani, punëtor fizik nga Malisheva, është në kërkim të një kredie për renovimin e shtëpisë, gjë e cila do t’i mundësonte një jetë më të rehatshme. Ndonëse në nevojë për një sasi parash të menjëhershme për të ecur me planin e renovimit, Rrahmani (33-vjeçar) ka hezitime të rifutet në kredi për shkak të normës së kamatës.

Interesi i lartë më bën të mendoj dy herë, sepse përndryshe do të punoj vetëm për t’i paguar këstet e kredisë, pa mundur të kursej asgjë për vete apo familjen. Një kredi që dikur mund të dukej si ndihmë për të zgjidhur ndonjë problem apo për të përmirësuar jetën, tani më duket si barrë që do ta rëndonte edhe më shumë jetesën time të përditshme” – deklaroi Rrahmani.

Të njëjtin hall e ka edhe Ardian Emini, një qytetar nga Prishtina, i cili ishte në kërkim të një banese për ta blerë, si një hap i domosdoshëm për pavarësim në jetë. Emini frikësohet nga norma e interesit, duke theksuar se është e pamundur “me ble një baneë pa hy në kredi që të “mbyt” për vite”.

Me çmimet që veç janë të larta për banesa, tash edhe kreditë janë ba shumë më të shtrenjta. Me pagat që kemi në Kosovë, me këto kushte është gati e pamundur me ble një banesë pa hy në kredi që të “mbyt” për vite. Kjo ndikon edhe psikologjikisht, se të bën me humb shpresën për me kriju diçka tënden këtu. Shumë prej nesh fillojnë me mendu për me ik jashtë, se aty së paku e di që mundesh me planifiku jetën” – thotë Emini.

Biznesi “stand by”

Krahas qytetarëve, edhe sektori privat i biznesit duket se ndikohet nga rritja e normës së interesit nga bankat, duke kufizuar mundësitë e rritjes dhe investimet kapitale. Ilir Avdiu, pronar i një lokali të parukerisë në Prishtinë, ka një plan të zgjerimit të biznesit, të cilin synonte ta materializonte gjatë këtij viti.

Megjithatë, Avdiu e ka ndier në “lëkurë” ndryshimin në kamatë nga ana e bankave.

“Kur bankat i rrisin kamatat, na e kemi shumë më vështirë me marrë kredi për pajisje të reja apo për me u zgjeru. Edhe nëse e kemi pasë në plan me hap një degë tjetër ose me investu në diçka më moderne, tash duhet me mendu dy herë. Sepse rritja e kamatave nënkupton pagesa më të larta mujore, e kjo e rrit rrezikun për bizneset si i joni. Kështu që po, na i ngadalëson planet dhe na bën me qenë më të kujdesshëm me çdo vendim financiar” – sqaron Avdiu.

Edhe për Agron Krasniqit, pronar i një biznesi të vogël, rritja e kaamtës është bërë “shumë e papërballueshme si biznes”. Tash planet e Krasniqit për rritje të biznesit janë në “pritje”.

“Kam pasur plan që vitin e ardhshëm ta rris biznesin duke marrë një kredi, por për fat të keq kam ndryshuar mendje për shkak të rritjes së kamatës, sepse tani është e papërballueshme për mua” – tregon Krasniqi.

“Sfidë ekonomike”

Valdet Kaçanolli, ekonomist, ka theksuar se rritja e normës së interesit vie si pasojë e rritjes së ndieshme të kërkesës për kredi dhe vendimit të BQK-së për rritjen e nivelit “të kapitalit të detyruar që bankat duhet të mbajnë ndaj huave të mëdha”.

Në analizën e tij, Kaçanolli tregohet pesimit, duke vlerësuar se “rritja e kamatave do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ritmin e zhvillimit ekonomik”, të cilën e quan një “sfidë ekonomike” për Kosovën.

Huatë më të shtrenjta do të thonë më pak investime të reja dhe më pak konsum nga qytetaret. Bizneset mund të hezitojnë të marrin kredi për të rritur kapitalin apo për të investuar në zgjerim, ndërsa familjet do të kufizojnë shpenzimet e mëdha, si blerja e shtëpive apo e veturave. Nga ana tjetër, bankat po ruajnë stabilitet të lartë financiar, gjë që tregon një politikë më të kujdesshme ndaj rreziqeve. Megjithatë, nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, mund të kemi një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, sidomos në sektorin privat, ku investimet varen kryesisht nga kreditë bankare” – sqaron Kaçanolli.

Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ka vërejtur një shpejtim të rritjes së kamatave pothuajse çdo muaj dhe një lloj “hezitimi” për huadhënie nga sekori bankar.

“Gjatë këtyre muajve, bizneset kanë raportuar tek ne edhe për një hezitim të sektorit bankar për të dhënë kredi, por pa dhënë ndonjë arsye se pse po ndodh kjo. Rritja e vazhdueshme e normave të kredive dhe e çmimeve të shërbimeve, vetëm sa po e ngarkon edhe më shumë bizneset, të cilat këtë vit janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë nga vendimet ad-hoc” – thotë Ahmeti.

Ndikimi psikologjik

Në krejt këtë mes, është edhe një dimension psikologjik, që rrallëherë përmendet. Sabina Musliu, psikologe në qendrën “Muhsin”, e vë theksin te stresi dhe përvoja e rëndë e huamarrjes në banka, të cilën e përjetojnë qytetarët.

Sipas Musliut, ndikimi i rritjes së normës së interesit nuk është “vetëm ekonomik, por edhe psikologjik e emocional”.

“Rritja e kamatës ndikon ndjeshëm në shëndetin mendor, sepse krijon pasiguri dhe stres të vazhdueshëm. Ajo që dje dukej e qëndrueshme – një kredi, një plan, një buxhet – papritur bëhet e pasigurt. Kjo lëkundje e stabilitetit krijon tension, sepse njeriu nuk e di më çfarë e pret. Fillojnë të lindin pyetje si “a do t’ia dal?”, “deri kur do zgjasë kjo?”, dhe ankthi financiar bëhet pjesë e përditshmërisë” – thotë Musliu.

Në fund, si pasojë e kësaj situatë të rënduar, “njerëzit ndihen nën presion, humbasin ndjenjën e kontrollit dhe jetojnë me frikën e së nesërmes”.

“Një gjendje e tillë shpesh sjell pagjumësi, irritim dhe lodhje mendore. Me kohën, pasiguria financiare shndërrohet në pasiguri emocionale, ku njeriu ndien pafuqinë për të ndryshuar situatën, gjë që ndikon në humor, përqendrim dhe marrëdhënie” – thotë psikologia Musliu.

Sidoqoftë, në krejt këtë pikturë të madhe të ndikimeve të rritjes së kamatës, Egzoni me shumë gjasë do të vazhdojë të jetojë në një shtëpi të parenovuar, ndërsa Iliri e Agroni do të presin një ditë më të mirë për të rritur bizneset e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button