
Ish-diplomati amerikan tha se një vendim i tillë do të dëmtonte të drejtën ndërkombëtare dhe do të përbënte fajësim kolektiv të shqiptarëve.
Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka komentuar zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale në Hagë dhe procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Rubin, i cili këtë javë dëshmoi në seancën gjyqësore, tha se do të ishte i tmerruar nëse gjykata do ta shpallte Thaçin fajtor.
“Mendoj se gjykata do të bënte vetë një dëm shumë të madh ndaj të drejtës ndërkombëtare sepse kur punoja për Madeleine Albright, kur e kishim themeluar Tribunalin për krime të luftës, në vitin 1993, të parin, ideja ishte që të caktohej faji individual, e jo të fajësohej bashkërisht njëra palë ose tjetra”, u shpreh ai.
Sipas tij, gjykimi aktual po rrezikon të marrë karakterin e një fajësimi kolektiv.
“Të fajësohen Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së për gjërat që nuk kanë ditur dhe nuk mund të ishin përgjegjës, do të ishte fajësim kolektiv i shqiptarëve, kështu do të rritej dhuna. Andaj, duhet gjetur kryesit dhe të dënohen ata, ky është edhe qëllimi i sundimit të ligjit dhe këtyre tribunaleve”, tha Rubin.
Ai shtoi se kjo është arsyeja pse beson që ish-krerët e UÇK-së të mbajtur në Hagë nuk duhet të dënohen.



