
Afati kushtetues për prezantimin e qeverisë skadon më 26 tetor, ndërsa presidentja Osmani do të ftojë partitë në konsultime në rast mosarritjeje të shumicës.
Seanca për formimin e Qeverisë së re në Kosovë është caktuar të zhvillohet të dielën në ora 10:00. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje (VV) nuk ka arritur ende të sigurojë votat e nevojshme për të garantuar shumicën parlamentare.
Zyrtarët e VV-së kanë pranuar mungesën e votave, duke theksuar se po bëjnë përpjekjet maksimale për t’i siguruar deri ditën e seancës.
Afati kushtetues prej 15 ditësh për prezantimin e Qeverisë së re skadon më 26 tetor. Nëse shumica nuk arrihet deri atëherë, presidentja Vjosa Osmani ka detyrimin brenda 10 ditësh të ftojë partitë në konsultime dhe, sipas diskrecionit të saj, të japë mandatin për formimin e qeverisë një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.



